Albin Kurti, në përvjetorin e rënies së dëshmorit Selim Berisha, ka bërë homazhe duke vendosur lule te varri i tij në fshatin Drenoc të Prishtinës. Selim Berisha, mësues i historisë dhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vra nga forcat serbe më 20 mars 1999, pasi kishte rezistuar i armatosur në shtëpinë e tij. Kurti ka theksuar se Berisha e shpjegonte lëndën e historisë gjithmonë në frymë kombëtare dhe se ai dilte i pari para policëve për t’i mbrojtur nxënësit e tij sa herë që qëllonte të vinte policia serbe në shkollë.
Postimi origjinal:
“Sot në përvjetorin e rënies së dëshmorit Selim Berisha, bëmë homazhe duke vendosur lule te varri i tij në fshatin Drenoc të Prishtinës. Selim Berisha u vra nga forcat serbe më 20 mars 1999, pasi kishte rezistuar i armatosur në shtëpinë e tij duke rënë dëshmor pas një qëndrese vërtetë heroike.
Historinë e Selim Berishës, e kam lexuar fillimisht në disa artikuj kurse ata që e kanë patur mësues të historisë në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, rrëfejnë që Profesori Selim e shpjegonte lëndën e historisë gjithmonë në frymë kombëtare. Ai frymëzohej e trimërohej pikërisht nga historia jonë e lavdishme, ashtu që sa herë që qëllonte të vinte policia serbe në shkollë, ai dilte i pari para policëve për t’i mbrojtur nxënësit e tij. Selim Berisha ka ardhur edhe në zyre të UÇK-së në Prishtinë te Bacë Adem Demaçi dhe e kam njohur edhe personalisht.
Lavdi dëshmorit Selim Berisha dhe veprës së tij patriotike si mësues historie dhe si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”