Basketball

Albin Kurti: 26 Shkurti, Dita e Lindjes së Adem Demaçit dhe Astrit Deharit

Në postimin e fundit të tij në Facebook, Albin Kurti ka përkujtuar dy figura të rëndësishme të historisë së Kosovës, Adem Demaçin dhe Astrit Deharin, të cilët kanë lindur më 26 shkurt. Kurti ka vizituar familjet e tyre dhe ka theksuar se kujtimi për këto dy figura është i gjallë. Ai ka vlerësuar rolin e tyre në përparimin e shoqërisë dhe ka premtuar se do të vazhdojë të punojë për të realizuar idealin e tyre.

Postimi origjinal:
“26 shkurti shënon ditëlindjen e Adem Demaçit dhe Astrit Deharit, dy figura që, megjithëse i ndan një gjysmë shekulli, i lidh i njëjti ideal për atdheun dhe përparimin e shoqërisë sonë.

Sot vizituam familjet Demaçi dhe Dehari, ku krahas ngrohtësisë jeton i gjallë kujtimi për Ademin e Astritin, për historinë që ata mishërojnë, për të kaluarën dhe të ardhmen që na e trashëguan. Adem Demaçi është drita që na udhëhoqi drejt lirisë, ndërsa Astrit Dehari kujton vendosmërinë e brezave të rinj në atë rrugë. Ne punojmë që ideali i tyre të jetojë në çdo zemër.

Lavdi Bacës Adem që sot do të mbushte 89 vjeç, dhe kujtim i pashuar për aktivistin, shokun tonë Astritin që sot do të festonte 35 vjeç. Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë rrugën që na tregoi Baca Adem.”