Basketball

Albin Kurti: 55 vjetori i Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës feston sot 55 vjetorin e themelimit të tij, siç njofton Albin Kurti në postimin e tij të fundit. Ky institucion i lartë arsimor u themelua më 15 shkurt 1970 dhe ka lindur gjenerata të tëra profesionistësh në fusha të ndryshme, duke kontribuar në formimin e elitave kulturore, akademike dhe politike të Kosovës. Kurti thekson se Universiteti i Prishtinës është universiteti shqiptar më së larti i ranguar, me qindra marrëveshje ndërkombëtare dhe mijëra studentë që studiojnë në mbi 80 departamentet e tij.

Postimi origjinal:
“Universiteti i Prishtinës u bë 55 vjeç, sot në ditëlindjen e tij. UP-ja është themeluar më 15 shkurt të vitit 1970, në një mbledhje solemne të mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Dy ditë më herët, më 13 shkurt 1970, universiteti që po themelohej, i kishte zgjedhur strukturat drejtuese të tij në Kuvendin e Parë të Universitetit të Prishtinës: rektorin e parë Dervish Rozhaja, prorektorët dhe Pleqësinë prej 29 anëtarësh. Vendimi për themelimin e Universitetit të Prishtinës ishte marrë rreth tre muaj më parë, më 18 nëntor 1969, kur Kuvendi i Kosovës kishte votuar një ligj të veçantë për këtë.

Ngritja e Universitetit të Prishtinës, ishte një nga arritjet më të mëdha dhe më përparimtare të shqiptarëve të Kosovës në gjysmën e dytë të shek. XX. Nga Universiteti i Prishtinës kanë dalë gjenerata të tëra profesionistësh fushash të ndryshme, duke i vënë themelet e të gjitha elitave kulturore, akademike dhe politike të Kosovës. Lëvizjet studentore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i kanë shenjuar dhe pikëprerë periudhat e historisë së Kosovës nën Jugosllavi, si më 1968, pastaj më 1981, më 1997-’98 sikur edhe më 1999, kur mijëra studentë u mobilizuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Teksa ka arritur në mes të dekadës së gjashtë të tij, Universiteti i Prishtinës është universiteti shqiptar më së larti i ranguar, me qindra marrëveshje ndërkombëtare me universitete të tjera dhe me mijëra studentë që studiojnë në mbi 80 departamentet e këtij universiteti. Ndërkohë që si universitet publik në Universitet të Prishtinës studiohet falas, studentët e tij përfitojnë miliona euro bursa kategorish të ndryshme, që ndihmojnë studentët e UP-së në aftësimin e tyre universitar.

Në shenjë nderimi dhe mirënjohje ndaj traditës së tij, në ditëlindjen e 55-të të Universitetit të Prishtinës, të gjithë studentëve, stafit akademik dhe administrativ të tij, të tanishëm dhe dikurshëm ndër gjenerata, u themi urime!”