Universiteti i Prishtinës shënoi ditën e tij të 55-të të themelimit, siç u përmend në postimin e fundit të Albin Kurti në Facebook. Universiteti u themelua më 15 shkurt 1970, dhe ka qenë një nga arritjet më të mëdha dhe më përparimtare të shqiptarëve të Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Kurti vlerëson se nga ky universitet kanë dalë gjenerata të tëra profesionistësh në fusha të ndryshme, duke kontribuar në formimin e elitave kulturore, akademike dhe politike të Kosovës. Ai gjithashtu thekson se Universiteti i Prishtinës është universiteti shqiptar më i lartë i ranguar, me qindra marrëveshje ndërkombëtare dhe mijëra studentë.
Postimi origjinal:
“Universiteti i Prishtinës u bë 55 vjeç, sot në ditëlindjen e tij. UP-ja është themeluar më 15 shkurt të vitit 1970, në një mbledhje solemne të mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Dy ditë më herët, më 13 shkurt 1970, universiteti që po themelohej, i kishte zgjedhur strukturat drejtuese të tij në Kuvendin e Parë të Universitetit të Prishtinës: rektorin e parë Dervish Rozhaja, prorektorët dhe Pleqësinë prej 29 anëtarësh. Vendimi për themelimin e Universitetit të Prishtinës ishte marrë rreth tre muaj më parë, më 18 nëntor 1969, kur Kuvendi i Kosovës kishte votuar një ligj të veçantë për këtë.
Ngritja e Universitetit të Prishtinës, ishte një nga arritjet më të mëdha dhe më përparimtare të shqiptarëve të Kosovës në gjysmën e dytë të shek. XX. Nga Universiteti i Prishtinës kanë dalë gjenerata të tëra profesionistësh fushash të ndryshme, duke i vënë themelet e të gjitha elitave kulturore, akademike dhe politike të Kosovës. Lëvizjet studentore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i kanë shenjuar dhe pikëprerë periudhat e historisë së Kosovës nën Jugosllavi, si më 1968, pastaj më 1981, më 1997-’98 sikur edhe më 1999, kur mijëra studentë u mobilizuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Teksa ka arritur në mes të dekadës së gjashtë të tij, Universiteti i Prishtinës është universiteti shqiptar më së larti i ranguar, me qindra marrëveshje ndërkombëtare me universitete të tjera dhe me mijëra studentë që studiojnë në mbi 80 departamentet e këtij universiteti. Ndërkohë që si universitet publik në Universitet të Prishtinës studiohet falas, studentët e tij përfitojnë miliona euro bursa kategorish të ndryshme, që ndihmojnë studentët e UP-së në aftësimin e tyre universitar.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohje ndaj traditës së tij, në ditëlindjen e 55-të të Universitetit të Prishtinës, të gjithë studentëve, stafit akademik dhe administrativ të tij, të tanishëm dhe dikurshëm ndër gjenerata, u themi urime!”